Të shtëna armësh në lagjen "Bregu i Diellit"
E. Hoti / RTKlive
Sonte rreth orës 21:30 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në lagjen “Bregu i Diellit” në kryeqytet.
Rastin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Ai ka bërë të ditur se policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
Zëdhënësi Borovci tha se nga veprimet e para policore në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar disa gëzhoja, ndërkohë që deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar.
“Përderisa policia po punon në mënyrë aktive për të mbledhur më shumë informacion rreth identifikimit të të dyshuarve, në të njëjtë kohë po vijon punën hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, tha ai.
Gazetari i RTK-së, Zenel Hajrizi raporton se ngjarja ka ndodhur në afërsi të shkollës fillore "Iliria", përkatësisht te Banesat e Bardha.























