I gjenden 28 bimë të kanabisit në kopsht, arrestohet
BKT
Kronika

I gjenden 28 bimë të kanabisit në kopsht, arrestohet

K. K. / RTKlive

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve në Gjilan ka kryer bastisje në shtëpinë e një të dyshuari në fshatin Mogillë të Kllokotit.

“Gjatë kësaj bastisje, rreth 100 metra larg shtëpisë së tij, është gjetur një serrë (kopsht), në të cilën i njëjti dyshohet se kishte mbjellë rreth 28 bimë të shkurres së bimës Kanabis Sativa në gjatësi rreth tri metra”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës dërguar medieve.

Në njoftim, ndër të tjera, bëhet me dije se lidhur me rastin në vendin e ngjarjes ka dalë Njësia e Forenzikës për procesim të vendit të ngjarjes, e cila, në cilësi të provave materiale, ka sekuestruar tri bimë (mostra), ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit sasia tjetër është asgjësuar në vendin e ngjarjes përmes procesit të djegies dhe është bërë “procesverbali mbi shkatërrimin e bimëve narkotike të llojit Kanabis Sativa”.

Gjithashtu, në njoftim thuhet se personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë.

“Në konsultim me prokurorin kompetent, i njëjti ka urdhëruar që, pas intervistimit të të dyshuarit, i njëjti të ndalohet për 48 orë, derisa njësitë përkatëse policore po vazhdojnë procedurat e mëtejshme hetimore”, është thënë në komunikatën e PK-së.


MË SHUME NGA Kronika