Aktakuzë kundër dy personave në Prizren për vrasje në tentativë
BKT
Kronika

Aktakuzë kundër dy personave në Prizren për vrasje në tentativë

K. K. / RTKlive

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër dy personave, H.Z dhe R.Z, për `Vrasje në tentativë`.

Sipas aktakuzës, me datë 10.05.2024 rreth orës 18:51min në rrugën “Tranisiti i Ri” në lagjen Arbana të Prizrenit, saktësisht në një auto servis, me dashje fillojnë kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj të dëmtuarit J.B., të cilën nuk e përfundojnë, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje paraprake lidhur me servisimin e një veture që kishte ndodhur një ditë më parë, në mes të pandehurit H.Z., dhe të dëmtuarit J.B.

“Derisa i njëjti ishte duke punuar në brendësinë e një automjeti në punëtorinë e tij, për një moment paraqiten të pandehurit H.Z., dhe R.Z., të cilët pa ndërruar asnjë fjalë derisa i dëmtuari ndodhej brenda veturës dhe në pozicion të pa mbrojtur, të pandehurit nxjerrin thikat dhe me të njëjtat e godasin disa herë të dëmtuarin, në pjesën e qafës dhe në regjionin e veshit të majtë derisa e vërejnë dëshmitarin Sh.B., i cili hyn në mes për të penguar sulmin e mëtejmë", theksohet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Tutje bëhet e ditur se i dëmtuari si rezultat i plagëve të marra me mjet të mprehtë, në pjesë vitale të trupit, përfundon në Spitalin Rajonal të Prizrenit “Prim.Dr.DautMustafa”, me lëndime të përshkruara sikurse në akt ekspertimin mjeko-ligjor.

Sipas njoftimit, të pandehurit me veturën e tyre të markës “Mercedes Benz 220C”, pas kryerjes së krimit largohen nga vendi i ngjarjes dhe deri më datë 11.05.2024 bëhen të pa arritshëm për organet e ndjekjes.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet tutje në njoftim.


MË SHUME NGA Kronika