Për 24 orë sekuestrohen 20 gëzhoja të plumbave të shkrepur në ahengje
E. Hoti / RTKlive
Policia e Kosovës ka njoftuar se përmes planifikimeve operacionale, aktiviteteve policore dhe fushatave sensibilizuese, vazhdon angazhimet e saja në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe në parandalimin e përdorimit të armëve të zjarrit në organizime festive në mbarë vendin.
Sipas njoftimit të policisë, vetëm gjatë 24 orëve të fundit PK-ja ka reaguar në dy raste të ndryshme ku ka pasur të shtëna festive dhe ka sekuestruar 20 gëzhoja, përderisa gjatë muajit korrik të këtij viti ka reaguar në 13 raste, të gjitha në ahengje, si dhe ka sekuestruar 11 armë dhe municione të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm.
“Përveç shtimit të prezencës policore në ambiente të hapura, në sheshe, në afërsi të lokaleve të ndryshme ku mbahen organizime festive, Policia e Kosovës po ndërmerr veprime konkrete edhe në konfiskimin e armëve dhe mjeteve tjera të kundërligjshme, që në disa raste fatkeqësisht ende po përdoren në ahengje të ndryshme”, thuhet në njoftim.
Posedimi dhe përdorimi i armëve në përgjithësi e në veçanti në festa dhe ahengje, është i ndaluar dhe sanksionohet me ligj. “Festoni me zemër e jo me armë, mos e shndërroni gëzimin në hidhërim dhe tragjedi”, ka thënë Policia e Kosovës.
Policia gjithashtu ka apeluar tek qytetarët që të bëjnë kujdes për sigurinë e tyre dhe të tjerëve, me theks të veçantë në ceremoni festive ku ka prezencë të madhe të njerëzve.























