Arrestohen 6 persona për mashtrime me patentë-shoferë |VIDEO
Islam Haxhiu /RTK
Në orët e para të mëngjesit, në Pejë, është zhvilluar një aksion kundër mashtrimeve me patentë- shoferë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ku janë arrestuar 6 persona.
Departamenti për Krime të Rënda pranë Prokurorisë Themelore, në Pejë, pas hetimeve prej rreth një viti, ka ndërmarrë një aksion ndaj disa zyrtarëve të njësisë për patentë-shofer, në Pejë, 6 prej të cilëve janë arrestuar. Kështu është shprehur prokurorja e rastit Valbona Disha-Haxhosaj, e cila tha se aksioni është zhvilluar në komunat: Pejë, Deçan, Fushë Kosovë dhe Prishtinë.
"Janë arrestuar 6 perosna. Një person është liruar për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore dhe tre të tjerë nuk janë hasur në shtëpi. Ndaj 6 personave janë lëshuar vendimet për ndalim, të njëjtit dyshohen për vepra penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, legalizim i përmbajtjes së rremë dhe një ryshfeti, si dhe pengim i të provuarit dhe vepër penale ndihmë në kryerjen e veprës penale, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar", tha Valbona Disha Haxhosaj, prokurore e rastit.
Pas arrestimeve të fundit, për t'u njoftuar më për së afërmi me gjendjen e krijuar, në Qendrën për Lëshimin e Patent-shoferëve, në Pejë ka qëndruar zëvendësministri për Infrastrukturë, Hysen Durmishi.
"Siç e dini, ne me datën 2 shkurt të këtij viti kemi mbajtur një konferencë për medie ku kemi prezantuar të gjeturat tona për Qendrën për Lëshimin e Patent-shoferëve në Pejë dhe jo vetëm, për dyshimet tona të bazuara për nivel të lartë të korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Kështu që sot ka filluar të punojë Prokuroria dhe Policia, kanë filluar edhe me arrestime. Unë shpresoj që kjo çështje të shkojë deri në fund dhe për të gjithë ata që kanë shkelur ligjin, të marrin dënimin e merituar", tha Durmishi.
Sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, por edhe atyre nga Prokuroria e Kosovës, raste të tilla të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nuk do të lejohen dhe të njëjtat do ta marrin dënimin e merituar.























