Durmishi, Abdixhikut: S’është projekt lokal, komplet investim i ministrisë
Kosovë

Durmishi, Abdixhikut: S’është projekt lokal, komplet investim i ministrisë

Sh.Çoçaj/RTKlive

Ndërtimi i rrugës për në bjeshkët e Moknës në Istog, ka nxitur një reagim ndërmjet zëvendësminsitrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Durmishi i ka reaguar Abdixhikut, pasi ky i fundit sot tha se ndërtimi i rrugës në atë pjesë është investim nga komuna e Istogut, që qeveriset nga Ilir Ferati.

Në reagimin e bërë, Durmishi thotë se rruga e Moknës është projekt i Ministrisë së Infrastrukturës.

“Lumir mos mashtro! Që në mëngjes, nga Istogu, e nise ditën me mashtrime. Rruga e Moknës nuk është projekt lokal por komplet investim i ministrisë tonë. Edhe në Pejë e bëre të njëjtën gjë vitin e kaluar sikur sot në Istog. Në komunat ku ju qeverisni nuk po mund t’a gjeni asnjë projekt të nivelit lokal për të bërë një foto a video, prandaj kudo që shkoni, investimet direkte të Qeverisë së Kosovës, po mundoheni që t’i paraqitni si projekte lokale”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka theksuar se ”vazhdimisht ankoheni për mungesë të investimeve kapitale por kudo që shkoni i shihni projektet konkrete duke u realizuar në ato komuna”.

“Ne nuk i diskriminojmë komunat. Nuk e diskriminojmë as Istogun. Mbi 10 milion euro investime po bëhen nga ministria e jonë në Istog dhe do të vazhdojmë me investime edhe në të ardhmen. Këtë po e bëjmë për qytetarët që të kenë më të lehtë zhvillimin e turizmit dhe më të lehtë e më të sigurt lëvizjen në komunikacion”, ka shkruar Durmishi.

Ai ka shtuar se “Mokna, Lugu i butë e zona të tjera në Istog do të bëhen vende të rëndësishme turistike për shkak të investimeve që po i bënë Qeveria e Kosovës, dhe këto punë të mira do t’i gëzoj edhe Lumiri dhe të gjithë qytetarët e Kosovës”.


MË SHUME NGA Kosovë