Dy eurot false, Kosova dhe Maqedonia e Veriut me aksion të përbashkët
BKT
Kronika

Dy eurot false, Kosova dhe Maqedonia e Veriut me aksion të përbashkët

G.K/RTKlive

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë bashkëpunuar në një operacion të përbashkët për parandalimin e futjes së parave të falsifikuara.

Përmes një komunikatë bëhet e ditur se gjatë viteve 2023-2024 Kosova ka ndërmarrë disa veprime për parandalimin e futjes së parave të falsifikuara në valutën Euro, ku mes tjerash është krijuar edhe një ekip i përbashkët hetimor me Maqedoninë e Veriut.

“Rrjedhimisht, këto lëndë penale ishin bërë pjesë e një hetimi ndërkombëtar, pas të cilave ishte krijuar Ekip i Përbashkët Hetimor (EPH) i përbërë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës nga njëra anë dhe Prokuroria Themelore në Shkup dhe Policia e Maqedonisë së Veriut nga ana tjetër”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se me datë dje në Kosovë është arrestuar një shtetas i Maqedonisë së Veriut i dyshuar për prodhimin dhe shpërndarjen e parave të falsifikuara me prerje metalike prej 2 (dy) Euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut janë kryer kontrolle në tri lokacione.

“Gjatë kontrollit u sekuestruan makineri për prodhimin e parave të falsifikuara me prerje metalike 2 (dy) Euro, shabllone parash dhe materiale të tjera për prodhimin e monedhave të falsifikuara, duke përfshirë të gjithë lëndën e parë të prodhimit të tyre.

Me aktvendim të prokurorit të rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, shtetasi maqedonas është ndaluar përkohësisht për 48 orë dhe ndaj tij në afat ligjor do të parashtrohet kërkesë në gjykatë për caktimin e masës për sigurimin e prezencës së tij në procedure”, theksohet në njoftim.

Ky operacion është mbështetur nga Europol dhe Eurojust/WB Crim Just Project.


MË SHUME NGA Kronika