Aktakuzë ndaj 4 personave, njëri polici që kanosi viktimën
M.P. / RTKlive
Prokuroria Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit kundër të pandehurve Ç.S., D.S., F.B., të dyshuar për veprën peanel “Lëndimi i lehtë trupor” . Gjithashtu kjo prokurori ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit policor me inicialet I.S. për veprën “Kanosje” .
Siç bëhet e ditur në komunikatë, tre të dyshuarit kanë shkaktuar sulm ndaj viktimës S.B. në një qendër tregtare në Prizren.
“Të pandehurit Ç.S., D.S. dhe F.B., më datë 31.08.2024 rreth orës 15:50min, në Prizren, në rrugën ‘Wiliam Walker’, pikërisht në parkingun e një Qendre Tregtare, në bashkëveprim i shkaktojnë lëndime trupore dhe përkohësisht ia dëmtojnë shëndetin të dëmtuarit S.B., në atë mënyrë që në momentin kur i dëmtuari ishte nisur për tek automjeti të cilin e kishte parkuar në oborrin e qendrës tregtare, është ndalur i pandehuri Ç.S., ku fillimisht kishte filluar konflikti verbal në mes tyre, pastaj Ç.S., e godet me kokë dhe aty ndërhyjnë edhe të pandehurit D.S., dhe F.B., të cilët me grushta e godasin në pjesë të ndryshme të trupit, me çka të dëmtuarit i shkaktojnë lëndime trupore, të përshkruara si në raportin mjekësor të lëshuar nga Spitali Rajonal ‘Prim. Dr. Daut Mustafa’ Prizren”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq zyrtarit policor i është ngritur aktakuza për shkak se kërcënon viktimën pasi djemtë e tij e kishin sulmuar atë.
“...pasi që ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti më datë 31.08.2024 rreth orës 17:30min, paraqitet në stacion policor për t’u interesuar për djemtë e tij të cilët ishin të përfshirë në rrahje, i njëjti në prezencë të hetuesit – zyrtarit policor V.M., e kanos të dëmtuarin S.B., me fjalë se do ta privojë nga jeta. Me këto veprime për të njëjtin ekziton dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale ‘kanosja’ nga neni 181 par.2 të KPRK- së”, vazhdon njoftimi.
Në ndërkohë sot në mëngjes, Inspektorati Policor i Kosovës kanë njoftuar për arrestimin dhe suspendimin e tij nga detyra.























