Rrugët e prishura në kryeqytet, qytetarët kërkojnë sanimin e dëmtimeve
BKT
Kosovë

Rrugët e prishura në kryeqytet, qytetarët kërkojnë sanimin e dëmtimeve

Qendresa Duraku /RTK

Dy rrugët që janë arteriet kryesore të Prishtinës, janë të dëmtuara skajshmërisht. Qytetarët e quajnë mossanimin e kësaj rruge si skandaloze nga Komuna e Prishtinës. Nga Rrethi i Flamurit deri te rrethi tjetër i QKUK-së, rruga është e dëmtuar aq shumë, saqë rrezikon prishjen serioze të veturave.

Ndërkaq, rruga prapa Komunës, përkatësisht "Agim Ramadani", ka me vite që nuk është sanuar. Komunarët, si zakonisht premtojnë që do të sanohet, derisa po presin të tejkalojnë procedura administrative.

Është një prej arterieve kryesore, rruga që lidh rreth rrotullimin e Flamurit deri tek rreth rrotullimi i QKUK-së dhe anasjelltas. Por kjo rrugë është e dëmtuar në masë të madhe.

Gjendje të rënduar nga dëmtimet është edhe rruga “Agim Ramadani” që gjendet prapa ndërtesës së Komunës.

Ngasësit e automjeteve ankohen për këto rrugë duke i cilësuar si skandaloze.

 “Nuk kam koment, po e shihni edhe vetë. Nuk di çka me ju thënë, jo edhe mirë. Kur i paguan taksat edhe regjistrimet edhe rruga duhet me u ndreq”, thotë Arsim Vitia, qytetar i kryeqendrës.

"Skandaloze. Gjendja është shumë e keqe. Rrugët, a i shikoni gropat, për çdo vit i sistemojnë rrugët, prish një rregullo një tjetër. Shumë e keqe. Krahasuar me kryeqytetet tjera të botës është shumë e keqe”, thotë Majlinda Hajrullahu, një qytetar tjetër.

Kurse qytetari, Ragim Islami, thotë se rrugët e dëmtuar po i dëmton vozitësit dhe veturat.

“Llom janë rrugët, rrugët shumë të dëmtuara janë. Po na dëmton edhe neve edhe veturat”, thotë ai.

Në një përgjigje me shkrim të Komunës së Prishtinës thuhet se për ndërhyrjen e rrugës “Agim Ramdani” janë në proces të ankimit ndaj vendimit refuzues të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore. Përderisa ajo tek Rrethi i Flamurit pritet të intervenohet.

Për pjesën prapa komunës veçse është paraparë që përmes ndërtimit të nënkalimit “Agim Ramadani” të zgjidhet edhe ky problem, por përderisa jemi në procese ankimore ndaj vendimit refuzues të QRTK-së, me arsyetimin se ka pasuri arkeologjike një projekt i tillë ka mbetur ende pa filluar, ani pse ekziston projekti, është ndarë buxheti dhe procesi i prokurimit është në fazën finale.

Kurse rruga nga Rrethi i Flamurit deri te rrethi i QKUK-së pritet të intervenohet përmes kontratës 6-lotëshe, që njëkohësisht e ka kthyer qytetin edhe në 6 zona intervenuese”.

Por kur pritet të intervenohet në sanimin e rrugës te Rrethi i Flamurit, nga Komuna nuk kemi marrë përgjigje.


MË SHUME NGA Kosovë