Policia gjen në malet e Gjakovës rreth 100 bimë kanabis sativa|VIDEO
Islam Haxhiu/RTK
Pas dyshimeve se në rajonin e Koshares në afërsi të Padeshit janë mbjellur bimë narkotike, Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare "Perëndimi" në Gjakovë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit kanë gjetur dhe asgjësuar rreth 100 bimë narkotike të llojit kanabis sativa, me gjatësi nga 1.5 m -deri në 2.5 m.
Nexhmedin Krasniqi, drejtor i policisë kufitare "Perëndimi" tha se aksioni i sotëm është rezultat i zhvillimit të hetimeve intensive disa javore me qëllim të zbardhjes së veprimtarive kriminale ku dyshohet se janë të përfshirë disa persona.
Krasniqi tha se policia kufitare e Kosovës janë duke bashkëpunuar ngushtë edhe me Policinë e Shtetit nga Republika e Shqipërisë.
“Ne jemi mësuar më heret 2019,2020,2021 që këto qindra mijërëa bimë narkotike të shkatërrohen dhe sikurse edhe në rastet e kaluara edhe në këto të tashmet, do të jemi në koordinim të drejtpërdrejtë me autoritetet shqiptare në identifikimin e personave të mundshëm që kanë kryer këtë vepër. Kështu që janë marrë të gjitha masat e duhura dhe në koordinim me prokurorin e Prokurorisë themelore këtu në Gjakovë sot kemi marrë vendim dhe një urdhër nga ai që këto bimë të shkatërrohen dhe të mirren të gjitha provat në identifikimin e personit të mundshëm i cili ka bërë kultivimin e kësaj parcele. Ju e shihni se këtu ka ujitje të bimëve. Gjatësia e tyre është nga 1.50 der në 2.5 m”, tha Nexhmedin Krasniqi, drejtori i Policisë kufitare Perendimi në Gjakovë.
Në vendin e ngjarjes janë parë poashtu edhe njësitet relevante të policisë, si, zyrtarë të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, forenzika dhe zyrtarë tjerë policorë.
Të gjitha bimët e gjetura janë djegur dhe asgjësuar në vendin e ngjarjes. Sipas drejtorit të Policisë Krasniqi, policia e Kosovës do të vazhdojë hulumtimin, gjetjen dhe asgjësimin e bimëve narkotike dhe ndjekjen e kultivuesve të tyre në çdo kohë.