Gjobë ndaj shoferit që bëri tejkalim të kolonës së automjeteve në Ferizaj
K. K. / RTKlive
Policia e Kosovës ka njoftuar se i ka shqiptuar gjobë një 73-vjeçari i cili ka bërë tejkalim të rrezikshëm të kolonës së veturave në Ferizaj.
“Policia e Stacionit në Ferizaj dje rreth orës 19:00 ka pranuar një informatë (me foto) nga qytetarët, se në rrugën ‘Reçaku’’ në Ferizaj, një shofer i veturës ‘Mercedes’ ka bërë tejkalim të kolonës së automjeteve, duke i rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në komunikacionin rrugor”, thuhet në njoftim.
Më tutje, sipas njoftimit nga policia, shoferi me iniciale H. G. është dënuar 200 euro, dy pikë negative dhe masën mbrojtëse heqje e patentëshoferit për tre muaj.
Ndër të tjera, Policia Rajonale në Ferizaj u ka bërë thirrje shoferëve të automjeteve t’i respektojnë shenjat dhe rregullat e komunikacionit. Veprimet e tilla, ka bërë me dije policia, rrezikojnë jetën e tyre dhe pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.
Për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion, policia ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve në stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro policinë” dhe në numrat kujdestarë 192, 0290/326-250 & 0290/322-406.























