Aktakuzë për vrasje në tentativë
V.S/RTKlive
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.U. për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Vrasja në tentativë”. I njëjti, gjendet në paraburgim nga data 15 korrik i këtij viti.
Sipas aktakuzës, i akuzuari B.U. me 17 maj të vitit 2024 këtij viti rreth orës 17:30 minuta në fshatin Nashec të Komunës së Prizrenit, me dashje tenton ta privojë nga jeta personin tjetër, në atë mënyrë që pasi takohet me viktimën J.A. paraprakisht kërkon nga i njëjti t’ia jap një shumë parash prej dymijë e pesëqind euro në formë të borxhit dhe pasi viktima i thotë se nuk e posedon një shumë të tillë, i njëjti nxjerr pistoletën dhe nga dritarja e automjetit shkrep në drejtim të viktimës, me ç’rast e plagos në këmbën e tij të djathtë dhe largohet nga vendi i ngjarjes.
Gjithashtu i pandehuri ka kryer edhe një tjetër vepër penale pasi mbante në pronësi, kontroll dhe posedim armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët.
Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.























