20 vite nga tragjedia e maturantëve të Malishevës
BKT
Kosovë

20 vite nga tragjedia e maturantëve të Malishevës

Sh.Gashi. /RTKlive

Sot në 20-vjetorit të tragjedisë së aksidentit në Fushë Arrëz, ku humbën jetën 15 maturantë të Gjimnazit të Malishevës, Komuna e Malishevës, përmes Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, ka pasuruar bibliotekën e këtij gjimnazi me një fond të ri librash. Ku me këtë rast u mbajt një orë letrare në përkujtim të maturantëve të ndjerë.

“Drejtoresha e Arsimit në Malishevë, Arbëreshë Krasniqi, e cila ishte bashkëkohëse me viktimat, kujtoi me emocion këtë ngjarje tragjike. Ajo theksoi se pasurimi i bibliotekës është një mënyrë e veçantë për të nderuar kujtimin e tyre, duke qenë se ata ishin pjesë e këtij gjimnazi dhe kjo bibliotekë mban emrin e tyre” thuhet në komunikatën e komunës së Malishevës.

Krasniqi po ashtu ka bërë të ditur se, me mbështetjen e kryetarit të Komunës, Ekrem Kastrati, janë përkrahur edhe bibliotekat e tjera shkollore me një fond prej rreth 150 mijë euro, duke shtuar tituj kryesisht shkencorë në fushën e albanologjisë.

Sipas njoftimit në përmbyllje, nxënësit e klasës së 11/8 organizuan një orë letrare kushtuar 15 maturantëve dhe shfaqën një dokumentar për tragjedinë e 14 tetorit 2004, ku humbën jetën 15 maturantët nga Malisheva.

"I tërë aktiviteti, u përshkrua me emocion dhe me lot në sy nga të gjithë të pranishmit", njofton Komuna e Malishevës.


MË SHUME NGA Kosovë