Katër të arrestuar për dhunë në familje
E. Hoti / RTKlive
Katër persona janë arrestuar për dhunë në familje gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas raportit të policisë, rastet kanë ndodhur në Fushë Kosovë, Gjilan, Suharekë dhe në Pejë.
Në Fushë Kosovë, zyrtarët policor kanë arrestuar një burrë nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Gjilan raportohet se pas një mosmarrëveshje ka ardhur deri te rrahja në mes burrit dhe gruas.
Policia ka njoftuar se të dyshuarës i është ofruar edhe tretman mjekësor.
“Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq në Suharekë është arrestuar një person për dhunë ndaj babait të tij.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj babait të tij viktimës mashkull kosovar”, ka njoftuar PK.
Me vendim të prokurorit, sipas policisë i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Pejë është arrestuar i dyshuari pasi që në gjendje të dehur ka dëbuar nga shtëpia viktimën femër kosovare, me të cilën bashkëjetonte.
Sipas policisë, me vendim të prokurorit edhe ky i dyshuari është dërguar në mbajtje.























