Rexha: Zhvillimi i teknologjisë kërkon ndërgjegjësimin e fëmijëve
Sh. Gashi|RTKlive
Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë ka sjellë me vete edhe rreziqet tek fëmijët. Kështu theksoi Dren Rexha, specialist i politikave sociale në UNICEF në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.
Ai theksoi rëndësinë e trajtimit të bullizmit online dhe krijimit të hapësirave të sigurta për çdo fëmijë.
“Të drejtat e fëmijëve janë në një zhvillim kritik. Kemi një zhvillim të hovshëm te teknologjisë e cila po ndikon shumë. Pastaj politikat globale, luftërat që po ndodhin po i prekin shumë fëmijët. Ndërgjegjësimi rreth çështjeve klimatike e sidomos zhvillimi i teknologjisë informative kanë rimodeluar një farë mënyre edhe konceptin e mbrojtjes së fëmijëve”, tha Rexha.
Ai tha se fushata ndërgjegjësuese po zhvillohet me moton: ‘Një klikim i vetëm mundet ta ndryshojë jetën, mendohu mirë para se të veprosh’ dhe ajo është duke u bërë përmes videoklipeve të ndryshme vetëdijesuese.
“Sot fëmijët po ekspozohen më shumë se kurrë në qasjen në internet, në qasjen në informim, në arsim, në kulturë por kjo ka sjellë edhe rreziqet e veta që kanë të bëjnë me përmbajtjen që është abuzive, ka të bëjë me të dhënat personale të fëmijëve, kështu që për ta trajtuar këtë aspekt, ne kemi filluar një fushatë e cila do të përbëhet prej disa videoklipeve ndërgjegjësuese që kanë të bëjnë pikërisht me ndërgjegjësimin e fëmijëve, të prindërve dhe të mësueseve në mënyrë që t’i shohin rreziqet dhe pasojat e abuzimit online ose të bullizmit online”, u shpreh ai.
Fushata po zhvillohet përmes grupmoshave të ndryshme që të jenë sa më të afërta me pikëpamjen e fëmijëve sa i përket këtij fenomeni.
“Ne për ta zhvilluar fushatën kemi bërë fillimisht fokus grup me mosha të ndryshme të fëmijëve për të parë se me çka po ballafaqohen dhe si e shohin ata këtë problematik dhe kjo është bërë me ndihmën e psikologëve dhe profesionisteve të fushës. Në bazë të tyre po zhvillohen këto video vetëdijesuese që kanë filluar së pari të shfaqen në RTK, gjë që e falënderojmë televizionin publik për këtë mbështetje”, tha Rexha.























