Arrestohet i dyshuari për veprimtari kundërkushtetuese
V.S|RTKlive
Me urdhër të Prokurorisë Speciale është arrestuar një person i dyshuar për kryerjen e veprave penale kundër Rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës. Sipas informacioneve nga kjo prokurori arrestimi i të dyshuarit erdhi pas zhvillimit të hetimeve disa mujore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Personi me inicialet M.D u arrestua sot në regjionin e Mitrovicës me dyshimet për kryerjen e veprave penale “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Pjesëmarrja në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizmi”, dhe veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”.
I njëjti, siç bëhet e ditur, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Speciale është ndaluar prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtit do të vazhdohet me veprimet e nevojshme hetimore.
“Prokuroria Speciale informon se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda, sot në regjionin e Mitrovicës, ka arrestuar një person M.D, me dyshimet për kryerjen e veprave penale “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese” nga neni 127 par.2 lidhur me nenin 114 par.2 të KRPK-së; “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare” nga neni 167 par.5 lidhur me nenin 31; “Pjesëmarrja në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizmi”, nga neni 404 par.2 lidhur me nenin 31 dhe veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, nga neni 402 par.4 lidhur me nenin 31 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës”, ka bërë të ditur njoftimi i Prokurorisë Speciale për veprat që ngarkohen mbi të dyshuarin.























