Juniku, vendi unik i 12 fiseve në Kosovë 
BKT
Kosovë

Juniku, vendi unik i 12 fiseve në Kosovë 

Besjana Mulaj/ RTK

Juniku, është vendbanimi i vetëm në Kosovë që brenda tij kanë bashkëjetuar 12 fise. Përgjatë periudhave historike pati edhe emërtime të ndryshme, gjatë kohës romake u quajt vend i ndritshëm, më pas si vendi i artë e më vonë e mori emrin Junik.

Sipas Zeqë Gaxherrit, një banor i Junikut, ky vend ka shërbyer si qendër e pajtimit të gjaqeve dhe konflikteve, si dhe për rregullimin e martesave me probleme. "Ne themi që gjykata dikur ka qenë në Junik," theksoi ai në emisionin "Paradigma" në RTK. Tradita e pajtimit dhe respektimi i së drejtës zakonore ishin të rëndësishme, me përfaqësues nga secili fis që merrnin pjesë në pleqni. 

Historiani Nezir Shehu pohon se, edhe pse sot nuk janë më të gjitha fiset, tradita e bashkëjetesës ka lënë gjurmë të thella. Nga 12 fiset që dikur ishin në Junik, tani kanë mbetur tetë, pasi shumë familje u shpërngulën në Gjakovë, Podujevë dhe vende të tjera për shkak të kushteve të vështira ekonomike dhe mungesës së tokës. 

Fisi Berisha është më i madhi në Junik, i ndarë në disa degë, si Morina dhe Gjocaj. Fisi Thaçi, që vjen pas Berishës për nga madhësia, përfshin katër lagje kryesore: Pepshi, Bajraktarët, Gaxherri i Epërm dhe Gaxherri i Ulët. Këto fise dhe të tjera kanë kontribuar në krijimin e një mjedisi të pasur me diversitet dhe tolerancë. 

Një tjetër element që identifikon Junikun janë kullat e gurit, të cilat datojnë që nga periudha kur mjeshtrit dibranë ndihmuan në ndërtimin e tyre. Rrjedha e lumit Erenik ka luajtur rol të rëndësishëm në jetën ekonomike të Junikut, duke mbështetur mullinjtë dhe përpunimin e leshit, një traditë që simbolizohet nga vavelica e vetme që ka mbetur sot. 

Kultivimi i gështenjave dhe parku malor janë pasuri të tjera natyrore që kanë ndihmuar në mbijetesën ekonomike të banorëve ndër vite. Ndërkohë, maja e Gjeravicës, më e larta në Kosovë, me lartësi 2656 metra, është një atraksion i rëndësishëm për turizmin malor. 

Komuna e Junikut ka investuar shumë në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe zhvillimin e turizmit. Kryetari Ruzhdi Shehu theksoi rëndësinë e projekteve që lidhin Junikun me qytetet fqinje si Peja dhe Gjakova, si dhe me Bjeshkët e Nemuna. Investimet përfshijnë asfaltimin e rrugëve, ndërtimin e shkollave, kanalizimet dhe zhvillimin e bujqësisë, me një total prej mbi 6 milionë eurosh. 


MË SHUME NGA Kosovë