KDI shënon 10 vite të garës për fotografinë kundër korrupsionit në Kosovë
Sh.G / RTKlive
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) këtë vit shënon një dekadë të organizimit të garës për fotografinë më të mirë që pasqyron korrupsionin në Kosovë.
Në këtë ngjarje, qytetarët janë ftuar të ndihmojnë në ekspozimin e korrupsionit përmes fuqisë së fotografisë, duke u bërë pjesë e një iniciative që ka për qëllim sensibilizimin publik dhe luftimin e kësaj dukurie.
Albesa Humolli, përfaqësuese nga KDI, ishte e ftuar në RTK për të folur rreth kësaj gare dhe rëndësisë së saj. Ajo theksoi falënderimin për mbështetjen e RTK-së gjatë këtyre dhjetë viteve dhe shtoi:
"Iniciativa jonë ka një qëllim më të lartë se thjesht shkrepja e një fotografie. Kjo garë u jep qytetarëve një mundësi për të raportuar korrupsionin dhe për të kontribuar në ngritjen e ndërgjegjësimit publik mbi këtë fenomen”, tha ajo.
Humolli potencoi praninë e korrupsionit në çdo aspekt të jetës së përditshme në Kosovë, nga lagjet ku banojmë, institucionet publike dhe komunat, deri te shërbimet shëndetësore.
Përmes garës, KDI i inkurajon qytetarët të flasin dhe të raportojnë këto raste përmes fotografisë.
Aplikimet janë të hapura deri më 30 nëntor dhe dërgohen përmes email-it në adresën [email protected].
Kjo garë është një thirrje për qytetarët që të përdorin fuqinë e tyre si dëshmitarë të realitetit për të bërë një ndryshim dhe për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionit.























