Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës do të vazhdojë protestat
V.Thaçi / RTKlive
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës përmes një komunikate për media njofton se ka vendosur të vazhdojë me protesta, kështu që më datë 05 dhjetor, 2024 do të jetë protesta e radhës.
Në komunikatë thuhet se vendimi për protestë u mor në mbledhjen e jashtëzakonshme të kryesisë më 26.11.2024, ku u diskutuan sfidat kryesore që po përballet sektori i shëndetësisë në Kosovë.
“Me këtë protestë, FSSHK shpreh pakënaqësinë e thellë për ndërprerjen e dialogut social me Ministrinë e Shëndetësisë, mospajtimin me propozimin e qeverisë për një rritje të vogël të koeficientit prej 0.5, mosnënshkrimin e Kontratës Kolektive Sektoriale, si dhe injorimi i protestës nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë ndaj kërkesave të FSSHK-së”, thuhet në komunikatën e FSSHK-së.
Tutje FSSHK thekson se këto veprime pengojnë përmirësimin e kushteve të punës dhe zhvillimin e një sistemi shëndetësor më të qëndrueshëm dhe të drejtë për të gjithë profesionistët shëndetësor.























