PDK formon Shtabin Qendror Zgjedhor për zgjedhjet e 9 shkurtit
Kryesia e Partisë Demokratike e Kosovës ka formuar edhe Shtabin Qendror Zgjedhor për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, me qëllim të koordinimit të plotë të aktiviteteve elektorale në të gjithë vendin.
Ky shtab, si njofton zyra për informim e PDK-së,, do të udhëhiqet nga kryetari i partisë, Memli Krasniqi, ndërsa në pozitën e zëvendësshefes së shtabit u emërua sekretarja e përgjithshme, Vlora Çitaku.
“Diskutimet gjatë takimit u përqendruan në hartimin e planit të detajuar të aktiviteteve, përmes të cilave do të mobilizohen strukturat e partisë dhe do të dinamizohet angazhimi qytetar për zgjedhjet e ardhshme.
Nën sloganin “Kosova mundet më mirë”, Partia Demokratike e Kosovës, thotë se, beson thellë se përmes vizionit të saj qeverisës dhe punës konkrete për realizimin e tij, vendi ynë mund të arrijë më shumë në çdo drejtim.
“Me kandidatin tonë për kryeministër, Bedri Hamzën, Partia Demokratike e Kosovës ofron një udhëheqës të dëshmuar, të përkushtuar dhe me program konkret për secilin qytetar.Hamza është një personalitet i respektuar që gëzon besimin e qytetarëve, si lider që do të sjellë stabilitet, zhvillim ekonomik dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
PDK u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të bashkohen rreth këtij vizioni të përbashkët dhe të japin mbështetjen e tyre kësaj partie.
“Në këto zgjedhje, PDK nuk është thjesht një alternativë, por një zgjidhje që ofron rezultate konkrete për një të ardhme më të mirë”, thuhet në këtë njoftim.























