Partitë politike ngushëllojnë familjet për tre të vdekurit në Jabllanicë
E.H|RTKlive
(E plotësuar) Krerët e partive politike kanë ngushëlluar familjet për tre të vdekurit në Jabllanicë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi u ka shprehur ngushëllime familjeve të tre fëmijëve që humbën jetën të shtunën si pasojë e shembjes së një shtëpie të pabanueshme në Jabllanicë.
“Dhembje e pafund për vdekjen tragjike të tre fëmijëve në Jabllanicë të Gjakovës. Në këto momente zie, jemi pranë familjeve të tyre me zemër e mendje, për të ndarë dhembjen e tyre të madhe”, shkroi ai në një postim në Facebook.
“Ngushëllimet më të sinqerta për të gjithë. Zoti ju dhashtë forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë!”, shtoi ai.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku u shprehur ngushëllime familjeve për humbjen e tre fëmijëve. Ai ka kërkuar hetim të plotë dhe të shpejtë për të sqaruar rrethanat e kësaj tragjedie.
“Me dhimbje e pikëllim të thellë morëm lajmin tragjik për humbjen e tre fëmijëve në tragjedinë në Jabllanicë të Gjakovës. Në emër të gjithë anëtarësisë së LDK-së, ju shpreh ngushëllimet e sinqerta familjeve, ndërsa në këto momente të vështira, qëndrojmë pranë tyre dhe lutemi që ta përballojnë këtë humbje të madhe.Po ashtu lus që të gjitha organet kompetente të zhvillojnë hetim të plotë dhe të shpejtë për të sqaruar rrethanat e kësaj tragjedie”, thuhet në postimin e LDK-së në Facebook.
Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shkuar për ngushëllime te familjet e fëmijëve.
“Me zemër të thyer te familjet që humbën më të dashurit e tyre në Jabllanicë. Ngushëllime, Zoti ju dhashtë forcë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook ku ka publikuar edhe foto nga vizita.























