Zyrtari dyshohet se lëshoi për një të vdekur certifikatë se është gjallë
Sh.Ç/RTKlive
(E plotësuar) Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar masën e paraburgim ndaj zyrtarit komunal i cili keqpërdori pozitën zyrtare.
Sipas kërkesës së prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri S.S., më 12 nëntor 2020, në komunën e Parteshit, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që duke përdorur vulën zyrtare të Republikës së Kosovës ka konfirmuar certifikatën e të qenit gjallë të gjendjes civile dhe të vendbanimit të tani të ndjerës D.S., edhe pse e njëjta ka qenë e vdekur, ku në këtë mënyrë ka mundësuar marrjen e pensionit të shtetit zviceran personit tjetër në vlerë prej 22.192 franga zvicerane.
I njëjti me urdhër të prokurorit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh.
Arrestohet një zyrtar për falsifikim dokumentesh, dy të tjerë në arrati
Policia ka njoftuar se një person është arrestuar mbi dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, e dy të tjerë janë në arrati.
Sipas Policisë, të tre dyshohen se në komunën e Parteshit kanë bërë falsifikim të dokumenteve. Rasti ka ndodhur në mars të vitit 2020, ndërsa arrestimi u bë të mërkurën, 26 shkurt.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se në bashkëveprim me dy të dyshuar meshkuj kosovar kanë keqpërdorur pozitën zyrtare në komunën e Parteshtit (zyrat e gjendjes civile), ku kanë bërë falsifikimin e disa dokumenteve. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërsa dy të dyshuarit tjerë gjenden në arrati”, thuhet në raportin e PK-së.























