RrGK: Dhunohet për të katërtën herë vajza e mitur në Prishtinë
BKT
Foto ilustrim
Kosovë

RrGK: Dhunohet për të katërtën herë vajza e mitur në Prishtinë

Sh.Ç /RTKlive

Rrjeti i Grave të Kosovës në një reagim publik ka bërë të ditur se është dhunuar për të katërtën herë një vajzë e mitur në Prishtinë. Në reagimin e tyre thuhet se ky rast “na rikujton edhe një herë dështimet në mbrojtje dhe rehabilitim e reintegrim të viktimave të dhunës me bazë gjinore, veçanërisht në rastet e ndjeshme kur për viktimë janë vajzat e mitura”.

Rrjeti i Grave të Kosovës ka kërkuar nga institucionet relevante që kanë qenë të përfshira në këtë rast, të japin llogaridhënie për dështimin në mbrojtje dhe rehabilitim të të miturës.

“Për të katërtën herë, viktima e mitur, e njohur për shoqërinë si viktime e përdhunimit nga pesë burra në vitin 2022, është përdhunuar sërish. Kësaj radhe, përdhunues të saj janë mbi dhjetëra burra, prej të cilëve katër janë arrestuar me dyshimet për trafikim për qenie njerëzore. Ky rast na rikujton edhe një herë dështimet në mbrojtje dhe rehabilitim e reintegrim të viktimave të dhunës me bazë gjinore, veçanërisht në rastet e ndjeshme kur për viktimë janë vajzat e mitura”, thuhet në reagim.

Mes tjerash thuhet se e mitura ishte e njohur për Qendrën për Punë Sociale në Prishtinë, institucion ky që ka për mandat të bëjë menaxhimin e rastit kur për viktimë janë të miturat/it.

“Ri-viktimizimi i së njëjtës, edhe pasi që ishte nën mbrojtjen e institucioneve vendore, dëshmon mos-efikasitetin e Qendrave për Punë Sociale në kryerjen e detyrave të tyre”, thuhet reagim.

Më tej thuhet se viktima, pas përjetimeve të dhunës seksuale në vitin 2022 për një kohë ka qëndruar në Strehimoren e Sigurisë së Lartë për Viktimat e Trafikimit (e vetmja strehimore nën menaxhimin e shtetit), ku edhe gjatë qëndrimit aty, ajo ishte përdhunuar, për këtë rast edhe RrGK pati reaguar, duke kërkuar llogaridhënie nga përfaqësuesit e strehimores.

RrGk kërkon urgjentisht të rishikohet plani i menaxhimit të rastit, dhe personi përgjegjës ne Qendrën për Punë Sociale të jap llogaridhënie për mos efikasitet të planit.


MË SHUME NGA Kosovë