Vdes në QKUK i dyshuari për grabitje të armatosur në Veternik
BKT
Foto arkiv
Kronika

Vdes në QKUK i dyshuari për grabitje të armatosur në Veternik

G.K/RTKlive

I dyshuari, i cili u plagos gjatë një grabitjeje të armatosur më 17 mars në afërsi të një qendre tregtare në lagjen Veternik në Prishtinë, ka ndërruar jetë sonte.

Lajmin e ka konfirmuar për RTKlive drejtori i Klinikës Intensive, Shaqir Uka. "Po, është e vërtetë, pacienti që ju i referoheni nuk ka arritur të përballojë plagët që ka marrë me armë zjarri, pavarësisht tretmanit intensiv kirurgjikal dhe medikamentoz. Ai ka ndërruar jetë pak para orës 21", ka thënë Uka.

Bëhet e ditur se i ndjeri i takonte nacionalitetit serb.

Lidhur me këtë grabitje të armatosur, policia dhe prokuroria kishin konfirmuar ngjarjen ditën kur ka ndodhur.  "Një person ka mbetur i plagosur pas një grabitjeje me armë zjarri në lagjen Veternik në Prishtinë. Bazuar në të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para", kishin deklaruar nga policia.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se një person është arrestuar për grabitjen e ndodhur në oborrin e qendrës tregtare në Veternik. Ai dyshohet për veprat penale "grabitje" dhe "mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve."

 


MË SHUME NGA Kronika