Kërkohet burgim i përjetshëm për të akuzuarit për sulmin në Banjskë
Visar Shatrolli|RTK
(E plotësuar, ora 16:00) Tre nga të akuzuarit nga sulmi terrorist i 24 shtatorit të 2023-s, kanë dalë para Gjykatës Themelore në Prishtinë. Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, nga 45 të akuzuarit sa janë gjithsej për këtë sulm terrorist në krye me kriminelin Milan Radojiçiq, akuzohen për kryerje të veprave terroriste, sulm në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Në këtë seancë të shqyrtimit gjyqësor, të tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm dhe nuk e pranuan fajësinë për akuzat me të cilat ngarkohen. Por, përmes videove e fotografive të prezantuara, prokurori i rastit, Naim Abazi, ka treguar se më 13 tetor 2021, në Rashkë kishin filluar përgatitjet e para të sulmit terrorist dhe se ky sulm kishte për qëllim cenimin e rendit kushtetues dhe të integritetit territorial të Republikës.
"Ky ishte një sulm i planifikuar gjatë me armatim të rëndë me synim të qartë destabilizus, shkatrrimin e rendit kushtetues, cenimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe krijimin e kushteve për shkëputjen e komunave veriore të Republika e Kosovës”, tha ai.
Prokurori ka paraqitur edhe fotot e të akuzuarve si dëshmi e përfshirjes në aktivitetet e grupit terrorist.
"Është edhe dëshmia e personit që është arrestuar në vendin e ngjarjjes Vladimir Toliqi përpara sulmit dhe pas sulmit ishte aktiv duke ndihmuar udhëzuar anëtarët e grupit", tha ai
Avokatët e policëve të dëmtuar dhe të familjes Bunjaku, kanë kërkuar burgim të përjetshëm për të akuzuarit.
"Kërkojmë nga trupi gjykues që përfundimisht tre të akuzuarit prezent të marrin denimin e merituar e që shpresojmë që të mos jetë më pak se burgim i përjetshëm", tha Naim Rudari, avokat i policit të plagosurit Alban Rashiti.
Edhe Arianit Koci, avokat i familjes së Afrim Bunjakut kërkojë që të dënohen me burgim të përjetshëm.
“Ky burgim është minimumin që i takon gruas dhe fëmive të Afrim Bunjakut dhe ky është minimumi që na takon gjithë neve në Kosovës”, tha ai
Ndërkohë, avokati i të akuzuarve tha se aktakuza ka mangësi të mëdha, derisa njëri nga avokatët mbrojtës tha se klientin e tij nuk e lidh asnjë provë me sulmin.
“Në të dyja pikat e aktakuzës, pika një dhe dy që kanë të bëjnë me klientin tim, askush nuk mund të shohë dhe të vërtetojë se personi Blagoje Spasojeviq, çka konkretisht ka bërë në fshatin Banjskë më 24 shtator të 2023”, tha Lubomir Pantoviq, avokat i të akuzuarit Blagoje Spasojeviq
Kurse Millosh Deleviq, avokat i të akuzuarit Vladimir Toliqit, tha se kilenti i tij nuk ka pasur kurrfarë komunikimi me udhëheqësit e këtij grupi.
“Do të shohim se të gjitha provat materiale nuk kanë të bëjnë me Toliqim dhe se nuk janë relevante për vërtetimin e fajësisë për këto vepra”, tha ai.
Përveç tre të akuzuarve që janë duke u gjykuar nga drejtësia kosovare, 42 të akuzuar, përfshirë edhe Milan Radojiçiqin, që e pranoi publikisht se udhëhoqi sulmin në Banjskë, janë në arrati. Seanca e radhës për rastin "Banjska" është caktuar më 9, 11 dhe 12 qershor nga ora 9:30.
Prokuroria paraqet prova se si nisi plani për sulmin terrorist në Banjskë
(E plotësuar, ora 11:10) Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka paraqitur prova se si nisi plani për sulmin terrorist në Banjskë.
Tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjska kanë dalë para Gjykatës Themelore në Prishtinë. Kjo është seanca e parë kundër të akuzuare Vlladimir Tolliqit, Bllagoje Spasojeviqit dhe Dushan Maksimoviqit, të cilët janë në dispozicion të organeve të drejtësisë.
Të tre të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm dhe nuk e kanë pranuar fajësinë për të cilat akuzohen.
Të tre janë arrestuar pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, i cili ka ndodhur më 24 shtator të vitit 2023, sulm në të cilin ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Ndërkohë, më 11 shtator të 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave në krye me kriminelin Milan Radoiiciq, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale.
Të akuzuarit për sulmin në Banjskë dalin sot para gjykatës
A.Bela|RTKlive
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot do të mbahet seanca e parë për rastin e sulmit në Banjskë.
Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, e të cilët gjenden në paraburgim, sot pritet të dalin para drejtësisë në Kosovë.
Mirëpo, pjesë e këtij gjyqi nuk do të jenë 42 të akuzuarit tjerë për këtë sulm, përfshirë kryekriminelin Milan Radoiçiq. Në shqyrtim fillestar prokurori i rastit Naim Abazi, kishte kërkuar gjykim në mungesë.
Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar ekstradimin e përgjegjësit të grupit terrorist, Milan Radoiçiq dhe të akuzuarit tjerë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, mirëpo një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Ata janë në kërkim të INTERPOLIT e presion ndaj Serbisë, që ajo t’ia dorëzojë Milan Radojçiqin dhe kriminelët tjerë drejtësisë së Republikës së Kosovës është bërë edhe nga ndërkombëtarët.























