Refuzohet kërkesa për gjykim në mungesë të të akuzuarve të Banjskës
M.P. / RTKlive
Gjykata Themelore Prishtinë ka refuzuar propozimin e Prokurorisë Speciale për gjykimin në mungesë të të akuzuarve në rastin e sulmit në Banjskë.
Nëpërmjet një njoftimi për media, institucioni ka bërë të ditur për këtë refuzim ndaj të akuzuarve për veprën penale "kryerja e veprës penale terroriste" dhe "vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës".
Ndërkaq, njëri nga të pandehurit, me inicialet M.R., është i akuzuar edhe për veprën penale "lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit" si dhe veprën penale "shpërlarja e parave".
“Kryetari i trupit gjykues ka vlerësuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe ka gjetur se kërkesa për procedimin e gjykimit në mungesë është e pabazuar dhe në këtë fazë të procedurës nuk mund të procedohet me gjykimin në mungesë ndaj të pandehurve që gjenden në arrati, pasi nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës për gjykim në mungesë”, thuhet në aktgjykim.
Më tej bëhet e ditur se gjykimi ndaj të pandehurve do të vazhdojë pas arrestimit dhe ekstradimit eventual të tyre në Republikën e Kosovës.























