Goditet rrjeti i shpërndarjes së kokainës në rajonin e Prishtinës
BKT
Foto ilustrim
Kronika

Goditet rrjeti i shpërndarjes së kokainës në rajonin e Prishtinës

Sh.Ç/RTKlive

(E plotësuar, ora 22:35) Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Themelore – Departamenti për Krime të Rënda në Prishtinë, ka realizuar me sukses operacionin policor, i cili është zhvilluar në bazë të hetimeve të gjata dhe të mbështetura në masa të veçanta të hetimit.

Policia ka dhënë detaje të këtij operiacioni që u zhvillua sot rreth orës 15:00, dhe pati si rezultat arrestimin e disa të dyshuarve për veprën penale sipas Nenit 267 të Kodit Penal – Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Policia thekson se gjatë realizimit të planit taktik në Prishtinë:

• U arrestuan tre persona të dyshuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve,

• U sekuestruan 2 kg e 643.27 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë (vlera në treg rreth 200,000 euro),

U konfiskuan:

- Një armë me 35 fishekë,

- Dy automjete,

- Tre telefona të mençur,

- 4000 euro në para të gatshme,

- Prova të tjera materiale që lidhen me rastin.

Po ashtu, gjatë operacionit, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, të cilët kanë tentuar të largohen me veturën e tyre. Gjatë kontrollit u është gjetur një armë dhe është konstatuar se automjeti i tyre ishte me dokumentacion të falsifikuar. Personat në fjalë nuk kanë ndërlidhje me rastin kryesor, andaj janë proceduar nga patrulla policore e Stacionit Jugu – Prishtinë.

Në vijimësi të hetimeve dhe zhvillimit operacional është kontrolluar edhe banesa e njërit nga të dyshuarit në Fushë Kosovë, ku janë gjetur dhe sekuestruar:

• 2 kg e 300 gram substancë e dyshuar kokainë (vlerë e përafërt në treg rreth 180,000 euro),

• Një armë zjarri me 14 fishekë.

Të gjithë të dyshuarve kryesor iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet janë duke vazhduar nga DHTN – Sektori Qendror në koordinim me organet e drejtësisë.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe fton qytetarët që të bashkëpunojnë duke raportuar çdo aktivitet të dyshimtë në mënyrë që së bashku të ndërtojmë një ambient më të sigurt për të gjithë.

Sekuestrohen mbi dy kilogramë substancë narkotike në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Njësinë e Antidrogës së Policisë, ka realizuar operacion të suksesshëm të martën në lagjen “Veternik” të kryeqytetit, ku janë sekuestruar mbi dy kilogramë substancë narkotike.

Prokuroria thekson se operacioni është zhvilluar në kuadër të veprimeve të vazhdueshme për luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë ende në zhvillim.

Prokuroria ka bërë të ditur se po punohet intensivisht për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar personat e përfshirë.

Në njoftim thuhet se autoritetet premtojnë se veprime të tilla do të vazhdojnë, me qëllim të garantimit të rendit dhe sigurisë publike.


MË SHUME NGA Kronika