Aktakuzë kundër shtatë personave për keqpërdorim të pozitës zyrtare
BKT
Kronika

Aktakuzë kundër shtatë personave për keqpërdorim të pozitës zyrtare

K. K. / RTKlive

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër shtatë personave të dyshuar për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se të akuzuarit janë B.K., A.R., V.K., Z.T., A.E., H.B. dhe A.T.  kanë keqpërdorur pozitën zyrtare gjatë ndërtimit të shkollës fillore “Vaso Pashë Shkodrani” në fshatin Tërnje të Suharekës duke ushtruar funksione zyrtare si menaxher projekti, mbikëqyrës komunalë dhe anëtarë të komisionit të kontrollit të punimeve, nuk i kanë përmbushur detyrat ligjore, duke i mundësuar përfitime të paligjshme një operatori ekonomik.

Sipas aktakuzës “gjatë periudhës kohore prej 12.10.2018 e deri në dhjetor të vitit 2019, në Suharekë, të akuzuarit e lartpërmendur, si zyrtarë për kontrollimin e punëve ndërtimore, për ndërtimin e SHFMU “Vaso Pashë Shkodrani” në fshatin Tërnje, në vlerë prej 294.154,79 euro, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbushin detyrat e tyre me qëllim mundësojnë përfitimit të dobisë për tjetrin, Operatorin Ekonomik NPN ,,I.” NPN ,,E.”, në atë mënyrë që i akuzuari i parë B.K., në cilësinë e menaxherit të projektit, ka ndryshuar projektin e ndërtimit të shkollës së lartpërmendur pa përfillur kompaninë projektuese duke pranuar punët në kundërshtim me kontratën e nënshkruar, me rregullat dhe udhëzuesin operativ për prokurim publik”.

“Ndërsa, të akuzuarit A.R., dhe V.K., në cilësinë e mbikëqyrësve të brendshëm komunal dhe Z.T., në cilësinë e mbikëqyrësit të jashtëm të kontraktuar, gjatë mbikëqyrjes nuk kanë vepruar sipas kushteve të kontratës dhe përgjegjësive që i takojnë, si dhe të akuzuarit A.E., H.B., dhe A.T., anëtarë të komisionit për kontrollimin e punëve në projektin e lartpërmendur, kanë dështuar të bëjnë verifikimin e sasisë, cilësisë, llojin dhe vlerën financiare të pranuar dhe të dokumentuar, dhe kanë pranuar të bëhen pagesa për pozicione të pakryera, përfshirë mungesën e zbritjes së pozicioneve të podrumit me sipërfaqe prej 175 m², i cili nuk është realizuar sipas projektit, dhe është zëvendësuar me vetëm 16 m² të një aneksi. Në këtë rast, është lidhur kontratë për punë shtesë me të njëjtin operator ekonomik në vlerë prej 29,202.60 euro, duke shkaktuar kështu dëm financiar për buxhetin e Komunës së Suharekës”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime, të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

Gjithashtu, bëhet e ditur se prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.


MË SHUME NGA Kronika