Vidhet kasaforta me para dhe telefona nga filiali i një operatori telefonik
BKT
Kronika

Vidhet kasaforta me para dhe telefona nga filiali i një operatori telefonik

E.Hoti/RTKlive

Policia e Kosovës ka njoftuar se një rast grabitje është raportuar në Prishtinë rreth orës 03:15. Rasti ka ndodhur në një nga filialet e operatorit telefonik, në sheshin “Nëna Tereza”.

Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Ai ka njoftuar se sipas informatave fillestare, janë ngritur dyshimet se tre persona të maskuar, kanë sulmuar sigurimin fizik jashtë objektit dhe më pas kanë depërtuar brenda, prej nga dyshohet se kanë marrë një kasafortë që dyshohet të përmbante para të gatshme, telefona të rinj dhe mbushje telefonike.

Ai ka deklaruar se të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.

Tutje Borovci ka shtuar se Policia ka dalë në vendngjarje ndërsa me rekomandimin e prokurorit kujdestar rasti është iniciuar si “Grabitje”.

“Aktualisht policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe operacionale për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve. Ftojmë qytetarët që posedojnë informacione relevante për rastin të bashkëpunojnë me policinë përmes linjës falas 192 apo përmes aplikacionit digjital Lajmëro Policinë”, tha Borovci.


MË SHUME NGA Kronika