Ngrihet aktakuzë kundër dy zyrtarëve policorë për marrje ryshfeti
BKT
Kronika

Ngrihet aktakuzë kundër dy zyrtarëve policorë për marrje ryshfeti

E.Hoti/RTKlive

Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër dy zyrtarëve policorë, për veprën penale “Marrje ryshfeti”. Ata akuzohen se i kërkuan një qytetari para për të mos i shqiptuar gjobë.

Sipas aktakuzës,të dyshuarit A.Sh dhe S.K, në cilësinë e zyrtarëve policorë të Njësitit të Trafikut në Pejë, më 20 prill të vitit 2025 në fshatin Poterq të Klinës, ndaluan veturën Golf 8 për shkak të tejkalimit të shpejtësisë.

Tutje në njoftim thuhet se për të mos i shqiptuar gjobë, ata i kërkuan të dëmtuarit 20 euro e më shumë që t’i dërgojë në pompën e derivateve në Pejë.

Dëshmitari, punonjës i pompës së derivateve, më pas atë kartëmonedhë ia kishte dorëzuar zyrtarit policor A.Sh. 

Sipas Prokurorisë, me këto veprime ekziston dyshimi se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprës penale “Marrje ryshfeti”.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, prokurori i shteti me rastin e ngritjes së aktakuzës, ka propozuar gjykatës që të pandehurve përveç dëmit, t’ju shqiptohet edhe ndalimi i ushtrimit të profesionit.

 


MË SHUME NGA Kronika