Policia gjen të vdekur një grua në Leposaviq pasi thyen derën për të hyrë
BKT
Foto ilustruese
Kronika

Policia gjen të vdekur një grua në Leposaviq pasi thyen derën për të hyrë

G.K/RTKlive

Policia ka njoftuar se sot në Leposaviq ka gjetur pa shenja jete një grua në shtëpinë e saj në fshatin Dobrava, pasi është detyruar të hapë derën me forcë pas kërkesës së stafit mjekësor që nuk kishte arritur të kontaktonte me të.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se “më datë 30.05.2025, rreth orës 13:48, Policia në Leposaviq është njoftuar nga stafi mjekësor, i cili kishte shkuar në fshatin Dobrava te Leposaviqit për të vizituar një paciente që ndodhej nën trajtim mjekësor”.

“Sipas informatave të para, me të arritur në vendin e ngjarjes, personeli mjekësor ka hasur në derën e mbyllur të shtëpisë dhe nuk ka arritur të vendosë kontakt me personin në fjalë, për çka ka kërkuar asistencën e Policisë”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore.

“Meqë dera nuk është hapur, Policia është detyruar ta hapë atë me forcë. Brenda në një nga dhomat e shtëpisë, në shtrat, është gjetur e shtrirë një femër pa shenja jete. Nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e viktimës – femër,  O.M., e lindur në vitin 1949”, thuhet në njoftim.

Policia bën të ditur se lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si “Vdekje e dyshimtë”, ndërsa trupi i pajetë, me urdhër të Prokurorit, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.


MË SHUME NGA Kronika