Përdoren armë në aheng familjar në Dragash, të dyshuarit ndalen për 48 orë
Policia e Kosovës, njofton se ka pranuar dy video-incizime në të cilat shfaqen dy persona duke shtënë me armë zjarri nga ballkoni i një shtëpie, gjatë një gazmendi familjar.
Pas angazhimeve të njësive operacionale, është identifikuar se aktiviteti është zhvilluar në fshatin Zaplluxhe, Dragash.
“Me datën 20.07.2025, pas konsultimit me Prokuroren e Shtetit, është marrë udhëzimi për të identifikuar personat që kanë shtënë me armë. Njësitë policore kanë filluar hetime, me ç’rast janë identifikuar dy të dyshuar, të cilët kishin shtënë nga ballkoni i shtëpisë së tyre. Të dyshuarit kanë dorëzuar vullnetarisht dy armë – pistoleta me gaz, si dhe tre gëzhoja, për të cilat kanë deklaruar se janë përdorur gjatë gazmendit. Personat e dyshuar janë shoqëruar në stacionin policor në Dragash, ndërsa Prokurorja e Shtetit ka urdhëruar që të intervistohen në prani të avokatit, dhe ka lëshuar Aktvendim për ndalim në mbajtje deri në 48 orë”, njofton Policia.























