Policia del me njoftim për vdekjen e dyshimtë në Skenderaj
RTKlive
Policia e Kosovës ka dalë me njoftim zyrtar pas një rasti të vdekjes së dyshimtë që ka ndodhur sot në një vend pune në Skenderaj, ku një 44-vjeçar humbi jetën.
Në njoftimin zyrtar thuhet se rreth orës 16:00, Policia është informuar për një person që kishte pësuar probleme shëndetësore dhe gjendej i shtrirë në vendin e tij të punës në rrugën “17 Shkurti” në Skenderaj.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë policore dhe ekipi mjekësor emergjent, mirëpo mjeku kujdestar ka konstatuar se viktima, një mashkull 44-vjeçar, kishte ndërruar jetë në vend.
Hetuesit e Njësisë Rajonale të Hetimeve, krim-teknika si dhe inspektorët e punës kanë kryer veprimet hetimore dhe procedurat e nevojshme ligjore. Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Policia ka konfirmuar se rasti është iniciuar si "Vdekje e dyshimtë" dhe hetimet do të vazhdojnë me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti.
(19:53) I riu nga Skenderaj vdiq nga arresti kardiak, konfirmojne zyrtaret
Një i ri ka vdekur sot ndërkohë që ishte në vendin e tij të punës, në një objekt në ndërtim në Skënderaj. Dyshimet e para janë se ai ka pësuar arrest kardiak
Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësi i Komunës së Drenasit Amir Lushtaku.
Ai tha se nga mjekët i është konfirmuar se i ndjeri ka pësuar arrest kardiak ndërkohë që ishte duke punuar brenda një objekti. Nuk ka rënë nga skelet ose nga lartësia, sepse ka qenë duke punu brenda objektit, po dyshohet që ka pësu arrest kardiak", theksoi Lushtaku.
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Drenasit, Fadil Nura ka njoftuar në rrjetet sociale se për shkak të kësaj tragjedie është anuluar për sonte festivali Mërgata Fest.
"Të nderuar qytetarë, pjesëmarrës të festivalit Mërgata Fest dhe ju bashkatdhetarë,
Për shkak të vdekjes së papritur të bashkëqytetarit tonë, të riut Robert Veliu, ish-basketbollist profesionist, dhe në respek të thellë ndaj familjes së pikëlluar Veliu, programi i sotëm muzikor në festival anulohet. Duke besuar në mirëkuptim e secilit përballë këtij rasti të dhimbshëm, i shprehi ngushëllimet më të thella familjes Veliu, shokëve dhe dashamirëve!", ka shkruar Nura.























