Dy shoferë ndëshkohen për shpejtësi tej normave të lejuara në Ferizaj
M.Sh/RTKlive
Dy shoferë janë ndëshkuar nga Policia e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj për kundërvajtje të rënda në trafik, përkatësisht për tejkalim të shpejtësisë së lejuar.
Sipas policisë, rastet janë regjistruar më 2 gusht 2025, rreth orës 20:10, në rrugën transitore Shtime–Belincë. Sipas njoftimit të Policisë Rajonale të Ferizajt, shoferi B.G., 42 vjeç, me veturë të tipit Volvo dhe me targa të huaja, është kapur duke vozitur me 118 km/h në një zonë ku kufizimi i shpejtësisë është 60 km/h. Ai është dënuar me gjobë prej 300 eurosh dhe me ndalim të drejtimit të automjetit për tre muaj në territorin e Kosovës.
Në të njëjtin segment rrugor, sipas të njëjtit njoftim, shoferi F.M., 53 vjeç, me veturë të tipit Audi dhe me targa vendore, është kapur duke vozitur me 121 km/h. Për këtë shkelje, ai është gjobitur me 300 euro, i janë shqiptuar 3 pikë negative dhe i është ndaluar drejtimi i mjetit për tre muaj.
Policia apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe shenjat e komunikacionit, në mënyrë që të ruhet siguria në rrugë dhe të shmangen aksidentet.























