Dy shoferë ndëshkohen për gara të paligjshme shpejtësie në Ferizaj
Sh.Ç|RTKlive
Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, ka ndërmarrë masa ndaj dy drejtuesve të automjeteve, të cilët janë kapur në flagrancë duke zhvilluar gara të paligjshme shpejtësie në rrugën “Driton Islami” në Ferizaj.
Rasti ka ndodhur rreth orës 23:45 të së martës, kur njësitet policore kanë ndaluar dy automjete të tipit BMW me targa të huaja, të cilat po merrnin pjesë në aktivitete që cenojnë rëndë sigurinë publike në trafik.
Policia ka njoftuar se drejtuesi i parë, L.Q., 19 vjeç, është kapur në flagrancë gjatë zhvillimit të garës dhe ndaj tij është shqiptuar një gjobë në shumë prej 1,000 eurosh.
Ndërsa drejtuesi i dytë, Y.T., po ashtu 19 vjeç, përveç gjobës prej 500 eurosh, është ndëshkuar me ndalim të së drejtës për të drejtuar automjet në territorin e Republikës së Kosovës për 12 muaj, një gjobë shtesë prej 500 eurosh dhe masë mbrojtëse – ndalim drejtimi për 6 muaj, për shkak të një ndalim-drejtimi të mëhershëm që ishte në fuqi, si dhe konfiskimin e automjetit.























