Ujku sulmon një fëmijë 5-vjeçar në Brod të Shtërpcës
BKT
Kronika

Ujku sulmon një fëmijë 5-vjeçar në Brod të Shtërpcës

E.Hoti/RTKlive

Një fëmijë, 5-vjeçar është sulmuar nga një ujk në oborrin e shtëpisë së tij mbrëmjen e 27 korrikut në fshatin Brod të Shtërpcës.

Rastin për RTKlive e ka konfirmuar Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Ai ka sqaruar se fëmija është dërguar fillimisht në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ndërsa më pas është transferuar në Prishtinë për trajtim mjekësor më të specializuar.

“Sipas familjarëve, sulmi kishte ndodhur rreth orës 19:00 kur fëmija, 5 vjeç ishte në oborrin e shtëpisë”, ka thënë Veseli.

E lidhur me këtë rast detaje ka dhënë edhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës. Ky institucion bën me dije se më datë 27 korrik në Klinikën Emergjente të QKUK-së, është pranuar një fëmijë 5-vjeçar nga fshati Brod, me lëndime në gjoks dhe shpinë.

“Sipas familjarëve, fëmija është sulmuar nga një ujk dhe është tërhequr zvarrë disa metra nga oborri i shtëpisë. Pas pranimit në Klinikën Emergjente, ka marrë trajtimin e parë mjekësor dhe janë kryer ekzaminimet e nevojshme fillestare.  Aktualisht, fëmija është pranuar dhe po merr trajtim në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, ku gjendja  vlerësohet stabile. Janë dhënë  vaksinat, sipas protokollit, si dhe është konsultuar Psikologu Klinik për vlerësimin dhe mbështetjen e gjendjes emocionale të fëmijës”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

Por, pavarësisht gjendjes stabile, për arsye të monitorimit dhe mundësisë së ndryshimeve eventuale, QKUK thotë se pacientja do të qëndrojë për disa ditë në klinikë.


MË SHUME NGA Kronika