Nga 1 tetori, transporti urban në Prishtinë falas për disa kategori
B.H./RTKlive
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se nga 1 tetori transporti urban në kryeqytet do të jetë falas për kategori të caktuara të qytetarëve.
Sipas vendimit të publikuar nga Rama në rrjetin social Facebook, përfitues do të jenë: stafi shëndetësor, si dhe stafi administrativ, teknik e mbështetës i institucioneve shëndetësore të kryeqytetit; stafi mësimor dhe ai administrativ, teknik e mbështetës i institucioneve arsimore, përfshirë edhe ato parashkollore; punonjësit e administratës së Kryeqytetit dhe të institucioneve vartëse; të gjithë nxënësit e shkollave të mesme; si dhe studentët e kryeqytetit.
“Qytetarët janë prioriteti ynë, për një Prishtinë më të gjelbër dhe me më pak vetura”, ka shkruar Rama në njoftimin e tij.
Megjithatë, ky vendim i Komunës së Prishtinës do të hyjë në fuqi vetëm 11 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale, ku kryetari aktual Përparim Rama synon edhe një mandat tjetër dhe nga oponentët e tij po shihet si pjesë e fushatës zgjedhore për të joshur më shumë votues.























