Policia e Kosovës po vazhdon me kontrollet e shtuara në trafik
RTKlive
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, përkatësisht Njësisë së Trafikut Rajonal dhe Njësisë së Trafikut të Kryeqytetit, po vazhdon me zbatimin e planeve operative për kontrolle të shtuara në komunikacionin rrugor, me synim rritjen e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve.
Gjatë periudhës kohore 6–14 tetor 2025, zyrtarët policorë të angazhuar në këtë plan kanë shqiptuar gjithsej 316 gjoba për kundërvajtje të ndryshme që lidhen me mosrespektimin e rregullave të komunikacionit rrugor, si dhe kanë konfiskuar 15 patentë-shoferë.
Kundërvajtjet më të shpeshta të evidentuara ishin: Skadimi i afatit të regjistrimit të automjetit – 72 gjoba; Xhama të errët (vendosja e folies apo materialeve të paautorizuara) – 31 gjoba; Përdorimi i telefonit gjatë ngasjes – 13 gjoba; Si dhe shkelje të tjera të rregullave të komunikacionit.
Policia e Kosovës apelon te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut, me qëllim që së bashku të kontribuojmë për një mjedis më të sigurt rrugor.
Angazhimet e Policisë së Rajonit të Prishtinës për sigurinë dhe disiplinën në trafik do të vazhdojnë në mënyrë të pandërprerë në të gjitha rrugët e kryeqytetit dhe të rajonit.























