Ferizaj njofton për rrezik të vërshimeve dhe kërkon kujdes nga qytetarët
K. K. / RTKlive
Komuna e Ferizajt ka njoftuar se gjatë ditës së sotme mund të ketë rrezik për vërshime si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.
Përmes një postimi në Facebook, kjo komunë u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe ua ka parashtruar masat e kujdesit
Komuna e Ferizajt ka kërkuar nga qytetarët që:
-Të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, veçanërisht pranë rrjedhave ujore, kanaleve dhe zonave ku ka grumbullim uji;
-Të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat me rrezik të lartë;
-Të raportojnë çdo situatë të mundshme emergjente në numrat 192 dhe 193.
Ekipet emergjente dhe Policia janë të angazhuara në terren dhe po monitorojnë gjendjen në mënyrë të vazhdueshme, me qëllim të sigurimit të një reagimi të shpejtë dhe efektiv.























