Arrestohet i dyshuar për krim të organizuar në Prishtinë
BKT
Kronika

Arrestohet i dyshuar për krim të organizuar në Prishtinë

M.M./ RTKlive

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, nofton se ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar dhe disa vepra të rënda penale.

I dyshuari, me inicialet A.B., është arrestuar në rajonin e Prishtinës, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale: organizim ose pjesëmarrje në grup kriminal, tregti e paligjshme e armëve dhe municionit, falsifikim dokumentesh si dhe vjedhje identiteti.

Sipas hetimeve, A.B. dyshohet se si drejtues i një grupi kriminal ka blerë armë dhe municione me qëllim transportimin dhe shitjen e tyre, si dhe ka përdorur dokumente të falsifikuara dhe identitete të vjedhura për mashtrim.

Autoritetet e Kosovës kanë bashkëpunuar ngushtë me policinë suedeze, pasi i dyshuari ishte shtetas i Suedisë dhe në kërkim ndërkombëtar. Falë këtij bashkëpunimi, më 1 dhjetor 2025 ai është lokalizuar dhe arrestuar.

Gjatë bastisjes në shtëpinë ku qëndronte i dyshuari, janë sekuestruar: 52,480 euro para të gatshme, patentë shoferi suedeze e dyshuar e falsifikuar, letërnjoftim suedez i dyshuar i falsifikuar, 3 telefona mobilë, orë Rolex prej ari të bardhë, një HDD, një DVR, një veturë.

Po ashtu, Policia rikujtoi se gjatë një operacioni të mëhershëm më 12 mars 2023 ishin sekuestruar: 20 armë automatike AK-47, 20 karikatorë, 2 automjete, 6 telefona mobilë, si dhe dokumente relevante për rastin.

I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria Speciale pritet të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale riafirmuan angazhimin e tyre në luftimin e krimit të organizuar, si në nivel vendor ashtu edhe përmes bashkëpunimit ndërkombëtar.


MË SHUME NGA Kronika