Kapet kosovari i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Finlanda
E.Hoti/RTKlive
Policia e Shqipërisë ka arrestuar në Morinë një shtetas kosovar të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet finlandeze, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Gjatë kontrolleve të detajuara në hyrje/dalje të Republikës së Shqipërisë, të fokusuara në parandalimin e paligjshmërive dhe identifikimin e personave në kërkim që tentojnë t’i shmangen drejtësisë, policia ka ndaluar në pikën kufitare Morinë shtetasin Sh. H., 40 vjeç, banues në Kosovë.
"Nga verifikimet e kryera, si dhe nga informacionet e shkëmbyera me Interpol Tiranën, rezultoi se 40-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Prokuroria e Distriktit Jugor të Helsinkit kishte lëshuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për trafikim të lëndëve narkotike", thuhet në njoftim.
Pas arrestimit, kanë nisur procedurat e mëtejshme nga Interpol Tirana për ekstradimin e tij drejt Finlandës.























