Aksident trafiku me fatalitet në magjistralen Mitrovicë – Leposaviq
E.Hoti/RTKlive
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pasditen e sotme në magjistralen Mitrovicë – Leposaviq, rreth orës 16:20, ku janë përfshirë dy automjete civile, një me targa vendore dhe një me targa të huaja.
Sipas informatave të Policisë së Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Veri, njësitë e hetimeve të trafikut janë angazhuar menjëherë në vendngjarje. Hetimet fillestare tregojnë se dyshohet se njëra nga veturat ka kaluar në shiritin e kundërt, duke shkaktuar përplasjen e fuqishme me automjetin që po vinte nga drejtimi i kundërt.
“Si pasojë e aksidentit, pesë persona kanë pësuar lëndime: dy shoferët dhe tre pasagjerë. Njëra nga pasagjeret, e identifikuar me inicialet V. M. (1999), ka ndërruar jetë në spitalin rajonal të Mitrovicës Veri rreth orës 20:30. Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për procedura të mëtejshme ligjore”, thuhet në njoftim.
Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në vendngjarje, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit.
Në një apel drejtuar qytetarëve, Policia e Kosovës rikujton rëndësinë e respektimit të rregullave të trafikut, shmangies së tejkalimeve të rrezikshme dhe përshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës. “Çdo pakujdesi në trafik mund të rrezikojë jetën dhe sigurinë e qytetarëve,” thuhet në reagimin e policisë.























