Fushë Kosova edhe me një QKMF, nënshkruhet marrëveshja
Valjeta Shala / RTK
Fushë Kosova do të bëhet me Qendër të re të Mjekësisë Familjare, duke rritur kështu kapacitetet shëndetësore dhe duke përmirësuar qasjen e qytetarëve në shërbime shëndetësore më cilësore.
Kështu u tha gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit në mes Komunës së Fushë Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë për ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, ku mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Kurti, tha se vlera e projektit është 2.5 milionë euro.
“Ne nënshkruam marrëveshje për ndërtimin e Qendrës Komunale të Mjekësisë Familjare, e cila do të kushtojë rreth 2.5 milionë euro dhe në këtë mënyrë do të shtohet kujdesi dhe qasja për banorët e kësaj komune”, ka thënë Kurti.
Kryetari i Fushë Kosovës, Valon Prebreza, tha se ky projekt ka një rëndësi të madhe për komunën.
“Ky projekt është shumë i mirëseardhur, pasi Fushë Kosova është një nga komunat më të dendura, me një numër të madh të popullsisë, mbi 64 mijë banorë, por në këtë komunë jetojnë edhe më tepër. Me këtë projekt, shërbimet do të jenë më të mira”, shtoi ai.
























