“Germin” organizon tryezë diskutimi për rolin e gruas në politikën lokale
Sh.G|RTKlive
Organizata Germin ka organizuar një tryezë diskutimi me temën “Përfaqësimi dhe vendimmarrja: Roli i gruas në politikën lokale”, e cila ka mbledhur bashkë gra nga politika lokale, mentore nga diaspora si dhe përfaqësues të institucioneve, me qëllim reflektimin dhe diskutimin mbi sfidat dhe mundësitë e përfshirjes së grave në vendimmarrje.
Në programin e mëngjesit, në RTK, i ftuar ishte bashkëdrejtori i organizatës “Germin”, Lirim Krasniqi, i cili foli më gjerësisht për misionin e organizatës dhe rëndësinë e kësaj tryeze.
Krasniqi theksoi se Germin është e fokusuar kryesisht në diasporë dhe se çdo projekt që zhvillon organizata ndërlidhet drejtpërdrejt me këtë komunitet.
“Ne besojmë se diaspora ka një potencial të jashtëzakonshëm intelektual dhe fokusi ynë kryesor janë njerëzit dhe dijet e tyre, më shumë sesa aspekti financiar. Studimet e realizuara në Kosovë tregojnë se gratë kanë shumë pak hapësirë në politikën lokale, veçanërisht në asambletë komunale dhe institucionet e qeverisjes lokale, gjë që ua kufizon edhe mundësitë për ngritje të kapaciteteve”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se, duke u nisur nga kjo situatë dhe nga fakti se “Germin” ka ndërtuar një rrjet të gjerë të grave profesioniste nga diaspora, të cilat janë të angazhuara në politikë dhe çështje publike, organizata ka synuar t’i bashkojë këto dy kategori.
“Qëllimi ynë është që ky bashkëpunim të shërbejë si përfitim konkret për politikën në nivel lokal, e në veçanti për gratë e përfshira në vendimmarrje”, u shpreh Krasniqi.
Tryeza synon të kontribuojë në fuqizimin e rolit të gruas në politikën lokale dhe në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve vendore dhe diasporës.























