Arrestohet i dyshuari për deklarim të rremë nën betim
BKT
Kronika

Arrestohet i dyshuari për deklarim të rremë nën betim

RTKLIve

Policia e Kosovës ka arrestuar një person nën dyshimin se ka dhënë deklarim të rremë nën betim.

Sipas Policisë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në muajin qershor të vitit 2025 ka pranuar informacion nga një person mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, në cilësi të ankuesit, lidhur me dyshime se disa persona zyrtarë i kanë kërkuar ryshfet me qëllim të bartjes së aksioneve në pronësinë e tij.

Sipas njoftimit, ankuesi kishte deklaruar se aksionet i kishte blerë nga bashkëaksionarët e tij dhe se bartja e tyre po kushtëzohej me pagesë ryshfeti.

Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës, në koordinim dhe me autorizim të prokurorit kompetent, ka ndërmarrë veprime të gjera hetimore. Gjatë këtyre veprimeve janë siguruar dëshmi relevante, nga të cilat rezulton se personi i lartcekur dyshohet se ka dhënë deklarim të rremë.

Me këto veprime, i dyshuari ka konsumuar elementet e veprës penale “Deklarimi i rremë nën betim”. Me datën 22.12.2025, i njëjti është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe, me aktvendim të prokurorit kompetent, është ndaluar për 48 orë.

Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.


MË SHUME NGA Kronika