Vërshimet shkaktuan dëme të mëdha në shtëpi dhe biznese në Drenas
Hysni Demaku/RTK
Vërshimet e fundit edhe në komunën e Drenasit lanë pas dëme të mëdha në shtëpi dhe biznese, veçanërisht në fshatin Poklek të Ri. Dy ditë pas reshjeve, gjendja është më e qetë, hyrje-daljet janë të kalueshme, ndërsa sfidë kryesore për banorët mbetet furnizimi me ujë të pijshëm.
Situata brenda shtëpive të banorëve të fshatit Poklek i Ri, dy ditë pas vërshimeve është e rëndë.
Shtëpitë e familjes Haziri nga ky fshat aktualisht janë të mbushura me ujë. Kryefamiljarët e kësaj familjeje thonë se natën e parë kanë mbetur të bllokuar brenda shtëpive.
Dëme të mëdha ka pësuar edhe familja Bajraktari. Përveç në shtëpi, ata kanë pësuar humbje që arrijnë qindra mijëra euro edhe në biznesin e tyre.
Vërshimet u kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe bizneseve brenda qendrës së qytetit të Drenasit.
Përpjekje për të shpëtuar diçka nga ajo që ka mbetur po bëjnë qytetarët, punëtorët e Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe zjarrfikësit. Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Drenasit, Nexhmedin Gruda, tha se aktualisht gjendja në komunë është stabile, por mund të përkeqësohet në rast se vazhdojnë reshjet.
Të gjitha hyrje-daljet në këtë komunë aktualisht janë të kalueshme. Furnizimi me energji elektrike është stabil, ndërsa më sfidues mbetet furnizimi me ujë të pijshëm.























