Arrestohet një i dyshuar për tri raste të vjedhjes së rëndë në Gjakovë
Naser Mekolli /RTKlive
Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Gjakovë ka identifikuar dhe arrestuar një person të moshës madhore, i dyshuar për përfshirje në tri raste të veprës penale “Vjedhje e rëndë”, të ndodhura në lokacione të ndryshme të qytetit.
Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari me inicialet A.B. është arrestuar pas veprimeve intensive hetimore dhe punës operative, ndërsa rastet e vjedhjes kanë ndodhur në rrugët “Fan S. Noli”, “UÇK” dhe “Marin Barleti” në Gjakovë.
Me urdhër të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo informacion të dyshimtë dhe të bashkëpunojnë me autoritetet e rendit për ruajtjen e sigurisë publike.























