I plagosuri në Gjilan në gjendje të rëndë, por stabile, po operohet në QKUK
Emine Hoti/RTKlive
( E plotësuar, ora 22:20) Personi i plagosur sonte rreth orës 18:00 në Gjilan është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
RTKlive ka kontaktuar me drejtorin e Klinikës Emergjente të QKUK-së, Naser Sylën, i cili tha se pacienti aktualisht është në sallën e operacionit.
Ai tha se pacienti është sjellë në gjendje të rëndë në spital.
“I plagosuri është në gjendje të rëndë. Aktualisht është në sallë të operacionit, është duke u operuar nga ekipet kujdestare të Kirurgjisë Vaskulare dhe të Ortopedisë. Për momentin është në gjendje stabile, konsiderohet në gjendje stabile”, tha Syla.
Një i plagosur në incidentin me armë zjarri në rrugën Gjilan–Kamenicë
Një person ka mbetur i plagosur si pasojë e një incidenti me armë zjarri që ka ndodhur rreth orës 18:00 në rrugën Gjilan–Kamenicë, në afërsi të një pike karburanti.
Lajmin e ka konfirmuar për RTKlive zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Sipas tij, Policia ka pranuar informatën për incidentin rreth orës 18:00 dhe njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Ai tha se gjatë ekzaminimit të vendit, janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me rastin.
“Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se në incident kanë qenë të përfshira dy automjete në lëvizje. Si pasojë e rastit, një person ka kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ndërsa po trajtohen nga autoritetet shëndetësore”, ka bërë të ditur Hashani.
Tutje Hashani tha se Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore dhe është në kërkim të personave të dyshuar lidhur me këtë rast.























