Arrestohen tre të dyshuar për grabitje, i katërti në kërkim
BKT
Kronika

Arrestohen tre të dyshuar për grabitje, i katërti në kërkim

Kimete Kasumi/ RTKlive

Policia e Prizrenit ka arrestuar tre persona dhe po kërkon një të katërt në lidhje me një rast grabitjeje.

Rreth orës 01:10, Policia ka marrë një raport nga dy viktima, një mashkull dhe një femër, të cilët deklaruan se tre persona të maskuar dhe të armatosur me thikë dhe pistoleta u kishin marrë një shumë parash duke i kërcënuar.

Pas marrjes së informacionit, Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ka intervistuar viktimat dhe ka nisur procedimin penal në konsultim me Prokurorin e Shtetit. Në bazë të hetimeve intensive nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, janë identifikuar katër persona të dyshuar:

I dyshuari i parë është arrestuar pranë një lokali, ku gjatë bastisjes janë gjetur dy armë, dy maska, doreza dhe veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjes. Dy të dyshuar të tjerë janë arrestuar në një lokacion tjetër në Prizren, me mbështetjen e një plani taktik të njësive policore.

Bastisje të tjera janë kryer në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve dhe në një lokal, ku janë gjetur prova shtesë.

"Dy nga të dyshuarit, në prezencë të avokatëve mbrojtës, kanë pranuar veprën e kryer. Me urdhër të Prokurorit kujdestar, tre të dyshuarit: K.K. (20 vjeç), Sh.G. (20 vjeç) dhe L.G. (36 vjeç) janë ndaluar për 48 orë. I dyshuari i katërt, V.S., nuk është gjetur në shtëpi dhe aktualisht gjendet në arrati", njofton Policia e Kosovës.

Rasti vazhdon të hetohet nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit.


MË SHUME NGA Kronika