Policia në Prizren mban ligjërata për nxënësit e shkollave të mesme
BKT
Kosovë

Policia në Prizren mban ligjërata për nxënësit e shkollave të mesme

Kimete Kasumi/ RTKlive

Në kuadër të zbatimit të projektit “Parandalimi i përdorimit të rrezikshëm të laserëve nga të rinjtë”, si dhe me qëllim të informimit dhe vetëdijesimit të nxënësve për “Ngacmimet seksuale dhe masat ndëshkimore ligjore”, Policia Sektoriale nga Stacioni Policor Prizren, ka organizuar dhe po vazhdon të mbajë ligjërata vetëdijesuese për nxënësit e shkollave të mesme në rajonin e Prizrenit.

Sipas njoftimit, qëllimi i këtyre ligjëratave është vetëdijesimi i nxënësve për dukuritë e lartpërmendura dhe pasojat që mund të rrjedhin nga to. Nxënësit kanë treguar interesim të madh për temat e trajtuara, ndërsa në aktivitete kanë marrë pjesë edhe psikologët e shkollave.

"Gjatë javës së kaluar, ligjërata të tilla janë mbajtur në dy shkolla të mesme në Prizren.Aktiviteti do të vazhdojë edhe në shkolla të tjera të rajonit, me synim përfshirjen sa më të gjerë të nxënësve", thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar në promovimin e sigurisë publike dhe edukimin e brezave të rinj për një kulturë më të lartë shoqërore dhe rrugore.


MË SHUME NGA Kosovë